Politika Luftë padish, grupi i PD kallëzon penalisht deputetin socialist, Vullnet Sinaj

Luftë padish, grupi i PD kallëzon penalisht deputetin socialist, Vullnet Sinaj

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK për “goditje për shkak të detyrës” deputetin socialist Vullnet Sinaj në lidhje me tensionet që kanë shoqëruar seancën plenare të ditës së hënë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se ditët në vijim do të paraqesin të tjera kallëzime penale për deputetë të PS-së.

“Ajo që sot ka dalë si lajm është përgjigje e kallëzimit tonë dje ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shpërdorim detyre” dhe në ditët në vijim të jeni të sigurtë se do të ketë kallëzime të tjera për deputetë të tjerë të Partisë Socialiste”, tha Bardhi.

Edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kallëzuar penalisht në SPAK deputetin demokrat Bledjon Nallbati.

Sipas kallëzimit të grupit parlamentar të PS-së, Nallbati ka konsumuar veprën penale “goditje për shkak të detyrës” gjatë seancës plenare të ditës së hënë ndaj deputetit socialist, Vullnet Sinaj.

Seanca plenare e Parlamentit të së hënës nisi me tensione dhe degjeneroi në përplasje fizike. Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar, mbajti të bllokuar për disa minuta foltoren e Kuvendit.