Stuhia e furishme ka përfshirë sot Shqipërinë, ku reshjet e shiut kanë përmbytur qytetet e vendit.
Problematike mbetet situata në Tiranë, ku pothuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit janë përmbytur nga uji, gjë e cila po bën problematike vështirësinë e automjeteve në qarkullim.
Gjithashtu në disa zona mësohet se është ndërprerë energjia elektrike. Ndërkohë Lana rrezikon të dalë nga shtrati.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Veliaj siguron se ekipet e Bashkisë janë terren për çdo emergjencë, ndërsa bën thirrje që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.
“KUJDES – MOT I RËNDUAR. Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciaran që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës. Ju lutem tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet! Ekipet tona janë aktualisht në terren për çdo emergjencë. Ndihmoni fqinjët e moshuar në rast nevoje. Mirënjohje për mirëkuptimin! Tel: 112 për emergjencat. Bashkë. Pa panik e me solidaritet”, shkruan Veliaj.