Aktualitet Si paraqitet situata në vend, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë natës priten reshje...

Si paraqitet situata në vend, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.

“Tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm“, njoftoi ministria.

Vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.

Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të njoftojnë në kohë, në rast nevoje dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.