Bota Merr fund pengmarrja në Gjermani: Babai i vajzës 4-vjeçare i dorëzohet policisë

Merr fund pengmarrja në Gjermani: Babai i vajzës 4-vjeçare i dorëzohet policisë

Pas 18 orësh ka marrë fund pengmarrja në aeroportin e Hamburgut në Gjermani.

Që nga mbrëmja e së shtunës një 35-vjeçar me origjinë turke kishte marrë peng vajzën e tij 4-vjeçare mes mosmarrëveshjeve që kishte me nënën e së miturës për kujdestarinë ligjore të fëmijës.

Pas orësh të gjatë negociatash mes 35-vjeçarit dhe policisë ai i është dorëzuar autoriteteve pa bërë rezistencë. Negociatat mes të riut i cili ishte i armatosur dhe policisë u zhvilluan në gjuhën turke dhe në praninë e një psikologu.

Policia gjermane ka konfirmuar se fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ka qenë vetë nëna e fëmijës që ka denoncuar ngjarjen e e rëndë dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Sipas një zëdhënësi të policisë gjatë natës së të Shtunës ai ka qëlluar dy herë në ajër ndërsa ka hedhur edhe dy bomba molotov.

Operacioni i policisë për lirimin e vajzës pezulloi trafiku ajror në aeroportin e Hamburgut.

Mbrëmjen e së shtunës, 17 fluturime të planifikuara për në Hamburg u devijuan drejt aeroporteve të tjera.