Një shqiptar në Itali është vrarë me armë zjarri në Vernante, në zonën e Cueno. Sipas Rai News, viktima është identifikuar nga policia italiane si Klaudio Myrtaj 34 vjeç. Sipas shtypit italian, vrasja ka ndodhur pasditen e së shtunës.
Viktima u gjet me plagë arme në kokë. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
La Stampa, që ka publikuar foton e shqiptarit, shkruan se 34-vjeçari Klaudio Myrtaj ishte qëlluar me pistoletë në kokë, dyshohet me silenciator. Trupi i tij u gjet në një punishte, ku ai herë pas here punonte. Ndoshta për këtë arsye nuk u dëgjuan të shtëna arme.
Sipas La Stampa, hetuesit dyshojnë se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie. Kamerat e zonës kanë fiksuar një person të dyshuar si autor të ngjarjes.
Policia po pyet disa persona si dëshmitarë, mes të cilëve edhe e dashura e 34-vjeçarit. Nga dinamika, hetuesit deri më tani kanë zbuluar se autori ka përdorur një pistoletë me silenciator dhe priti deri sa të dilte nga punishtja pronari, i cili shkoi për të blerë benzinë për traktorin. Në këtë moment, vrasësi ka qëlluar me pistoletë shqiptarin. Për këtë arsye hetimet janë kategorizuar si vrasje me paramendim.
Ka qenë pikërisht pronari i punishtes i cili lajmëroi policinë kur u kthye, pasi pa trupin e pajetë të 34-vjeçarit.
Policia italiane po punon për të arrestuar autorin e vrasjes.
Klaudio Myrtaj kishte shkuar në Itali dy vite më parë dhe punonte në kantiere ndërtimi rrugësh.
Ai jetonte jo shumë larg vendit ku mbeti i vrarë. Në komunitet njihej si njeri punëtor dhe i sjellshëm me banorët e tjerë të zonës.