Kryesore Dy orë në SPAK për CEZ-DIA, Meta: Emri im nuk ndodhet në...

Dy orë në SPAK për CEZ-DIA, Meta: Emri im nuk ndodhet në asnjë shkresë, kjo çështje diktohet nga Rama

Pas 2 orëve, kryetari i partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë nga SPAK. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se u pyet nga prokurorët si person që ka dijeni për rrethanat, sa i takon çështjes së hetimit për aferën CEZ-DIA. Ai ritheksoi se emri i tij nuk ndodhet në asnjë akt apo dokument.

“Shpifje dhe njëkohësisht një person që ka dhënë dëshmi ku asgjëkundi nuk ka përmendur emrin tim. Përgjigjja ime është ajo që kam thënë dhe përpara dhe që do e theksoj në çdo rast, nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje, akte nënligjore nga Ilir Meta si ministër i Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë këtu DIA dhe CEZ dhe madje ministrinë e Ekonomisë si pronare 100% e aksioneve të KESH e ka denoncuar vendimin e ERE-s për blerjen e energjisë në dëm të konsumatorëve. Isha si person që kam dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme që nuk kanë asnjë rëndësi.”

I pyetur nëse ka njohje me të vetmin të dënuar për këtë aferë Kastriot Ismailaj, Meta e mohoi në mënyrë absolute.

“Kam dhënë shpjegime në të kaluarën, edhe para opinionit publik. Asnjë vendim nga Ilir Meta nga pozitat e tij shtetërore në interes të askujt. Kjo është shumë e qartë, është një çështje që diktohet politikisht nga Edi Rama për të shmangur vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme e për ta spostuar në thashetheme. Nuk kam asnjë interes për dëshmitë që ka SPAK, është detyra e tij të hetojë, jetojmë në kohë ku kallëzuesit e rremë janë bërë modë sepse kemi një qeveri që kërkon të shmangë vëmendjen nga skandalet, që nga inceneratorët që sot e kësaj dite vetëm sa është prekur pak në sipërfaqe. Unë jam këtu dhe do jem gjithmonë transparent. Unë jam këtu në respekt të ligjit së pari, së dyti asnjë akt, asnjë vendim nga Meta në interes të askujt.”

“Nuk më habit asnjë keqpërdorim i drejtësisë, nuk më shqetëson fare. Unë jam këtu përballë jush dhe para qytetarëve dhe askush nuk duhet të ketë iluzionin se në këtë mënyrë do arrijnë të ç’fokusojnë Metën apo opozitën nga beteja kundër këtij regjimi Unë jam këtu, s’jam për të dhënë përgjigje për çdo lloj mashtruesi që vetëofrohet për interesat e tij. Asgjëkundi s’është përmendur emri im, dirigjohet nga vetë Rama”, theksoi ish-presidenti.

Meta u shpreh në fund se do jetë gjithnjë i gatshëm të përballet me drejtësinë.

“Absolutisht, mos kini asnjë shqetësim. Do përballemi me drejtësinë dhe çdo të vërtetë! Është aktivizuar për nja 100 denoncime, problemi është se inceneratorët s’janë aty.”