Aktualitet Procedohet pronari i kopshtit “Stinët” ku iu thye këmba 3-vjeçares

Procedohet pronari i kopshtit “Stinët” ku iu thye këmba 3-vjeçares

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal për pronarin e kopshtit “Stinët”. 45-vjeçari Daniel Danushi e ushtronte këtë aktivitet pa licencë dhe sipas policisë ka fshehur të ardhurat duke mos paguar në këtë mënyrë tatimet.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku ka nisur procedimi penal për shtetasin D. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Ky shtetas ka ushtruar pa licencën përkatëse, veprimtarinë në një kopsht fëmijësh, në rrugën “Ali Demi”, Tiranë, dhe ka fshehur të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet”, njoftoi policia.

Disa ditë më parë, emisioni “Stop” denoncoi rastin e rëndë, ku një 3-vjeçare doli nga kopshti “Stinët” me këmbë të thyer.

Për ngjarjen është proceduar po ashtu edukatorja Majlinda Dehima për keqtrajtim të të miturve, ndërsa policia vijon hetimet për të zbuluar se si iu thye këmba vajzës.