Aktualitet E trishtë! Humb jetën foshnja që u braktis nga nëna në garazhin...

E trishtë! Humb jetën foshnja që u braktis nga nëna në garazhin e pallatit në Tiranë

Foshnja e gjetur një ditë më parë në garazhin e një pallati në Yzberisht të Tiranës, nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë. Lajmi konfirmohet nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruan Balla nw rrjetet sociale.

Bebja u braktis nga nëna e tij 30-vjeçare Egljanta Isufi, e cila dyshohet se e lindi pikërisht në vendin ku u gjet. Ishte një banor i zonës që dëgjoi të qarat e të porsalindurit. Menjëherë pasi mbërriti në spital djali i vogël shfaqi probleme të rënda shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.

Aktualisht, 30-vjeçarja ndodhet në spital nën masën e arrestit, për braktisjen e të birit. Me vdekjen e tij, pozitat e 30-vjeçares pritet të rëndohen. Para hetuesve ajo mësohet se ka deklaruar se arsyeja që e ka fshehur shtatzëninë e saj dhe ka braktisur beben ka qenë për shkak se nuk ka dashur që të merrej vesh nga familja e saj, por edhe opinioni publik, për shkak se ishte e pamartuar.