Kulturë “Femme A La Montre”, kryevepra e Pikasos që përshkruan të dashurën e...

“Femme A La Montre”, kryevepra e Pikasos që përshkruan të dashurën e tij shitet për 140 milionë dollarë

Kryevepra e Pablo Pikasos e vitit 1932 “Femme A La Montre” (Gruaja me orë) u shit dje për gati 140 milionë dollarë në një ankand në Nju Jork.

“Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë e Pikasos e shitur ndonjëherë në ankand, duke arritur vlerën e 139,4 milionë dollarëve”, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Në vitin 2015, “Les Femmes d’Alger (Version ‘O’)” e Pikasos u shit në ankandin “Christie’s” në Nju Jork për 179 milionë dollarë.

“Sotheby’s” tha se piktura e vitit 1932, një portret i të dashurës së tij Marie-Thérèse Walter, u ble nga koleksionistja Emily Fisher Landau në vitin 1968.

Fillimisht nuk u zbulua se kush e bleu pikturën të mërkurën.

Së bashku me pikturat e Pikasos, rreth 120 vepra arti të tjera do të shiten në ankandin dyditor.

Piktura, me përmasa (130 x 96,5 centimetra), përshkruan të dashurën dhe “muzën e artë” të Pikasos, Marie-Thérèse Walter, e cila u shfaq në shumë nga portretet e tij.

Sipas shtëpisë së ankandit, portreti është bërë në një nga vitet më te mira të karrierës së artistit spanjoll.

Picasso u takua për herë të parë me Walter në Paris në 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte ende i martuar me gruan e tij të parë, Olga Khokhlova, një balerinë ruso-ukrainase. Walter do të bëhej frymëzim për disa nga kanavacat, vizatimet dhe skulpturat e tij më të kërkuara.

Me kalimin e kohës, Picasso e kishte gjithnjë e më të vështirë të fshihte ndjenjat e tij për Walter – diçka që u bë e qartë në vazhdim ku i dha fund martesës së tij.

Artisti pikturoi “Femme à la montre” në gusht 1932, menjëherë pas përfundimit të retrospektivës në Galerie Georges Petit në Paris.

Sipas Sotheby’s, “ndjenja e lirimit nga mbajtja e sekreteve në lidhje me lidhjen e tij duket se është derdhur në këtë kanavacë të jashtëzakonshme, në të cilën ai u jep hapësirë lirive të reja, duke e lagur pikturën me ngjyra të forta dhe forma të bukura, ndërsa në të njëjtën kohë duke i kushtuar vëmendje çdo detaji të vogël, duke krijuar një kompozim që është intensivisht kompleks dhe thellësisht harmonik”.

Picasso vdiq në 1973 dhe Walter në 1977.