Politika “Servil, legen”, demokratët sherr me njëri-tjetrin në Kryesinë e Kuvendit, pranë përplasjes...

“Servil, legen”, demokratët sherr me njëri-tjetrin në Kryesinë e Kuvendit, pranë përplasjes fizike

Punimet e Komisionit për Çështjet Europiane u zhvendosën online mëngjesin e së premtes pasi demokratët e bënë të pamundur zhvillimin e mbledhjes.

Megjithatë, këta të fundit pothuajse përfunduan më përplasje fizike mes njëri-tjetrit. Debatet verbale mes deputetit Kreshnik Çollakut dhe Dashnor Sulës nga grupi i Rithemelimit, precipituan në fyerje dhe përplasje fizike.

Ishte deputeti Dula ai që nisi të hidhte fjalë në drejtim të demokratit tjetër, Kreshnik Çollaku duke e akuzuar se po qëndronte si “spektator” gjatë protestës së grupit të Rithemelimit.

Në mbyllje të mbledhjes së Komisionit, Çollaku shkoi për t’u sqaruar me Sulën, dhe më pas debati përfundoi në fyerje. Ata akuzuan njëri-tjetrin për servilizëm, opozitarizëm fiktiv dhe bashkëpunim me qeverinë.

Siç duket edhe në video, Sula qëllon lehtë me grusht në bark Çollakun, ndërsa ndërhyrja e gardës evitoi që përplasja të shkonte më tej.