Bota NASA humb një ikonë/ Vdes komandanti i parë që fluturoi rreth Hënës

NASA humb një ikonë/ Vdes komandanti i parë që fluturoi rreth Hënës

Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare ish-astronauti i NASA-s, Frank Borman, i cili hyri në histori si drejtuesi i misionit të parë që i erdhi përqark Hënës.

Borman së bashku me dy kolegët e tij gjatë misionit “Apollo 8”, ishin njerëzit e parë që panë “anën e errët” të satelitit të Tokës në ekspeditën e vitit 1968.

Administratori i Agjencisë, Bill Nelson reagoi për këtë humbje duke thënë se Borman ishte një ndër më të mirët e NASA-s dhe një hero i vërtetë amerikan, i përkushtuar pas punës.

Apollo 8 ishte një mision themelor sepse ishte hera e parë që njerëzit u larguan nga orbita e Tokës, duke humbur nga sytë planetin e tyre.

Karriera e Frank Borman filloi në Forcat Ajrore në vitin 1950, duke shërbyer si pilot luftarak, operacional dhe instruktor.

Talenti i tij bëri që ai të zgjidhej nga NASA për të udhëzuar në Shkollën e Pilotëve të Kërkimeve Ajrore në Kaliforni.

Nga viti 1950 e në vazhdim ai ishte pilot luftarak dhe më vonë asistent profesor i termodinamikës në Akademinë Ushtarake West Point në shtetin e Neë York-ut. Në vitin 1967, ai ishte anëtar i bordit hetimor që hetoi zjarrin e anijes kozmike Apollo që vrau tre astronautë.

Më vonë ai u emërua kreu i programit Apollo dhe drejtoi ekipin që ridizajnoi anijen kozmike Apollo.

Pasi u tërhoq nga Forca Ajrore në 1970, Borman u bë një konsulent për Eastern Airlines përpara se të mbante poste të ndryshme të larta atje, duke përfshirë të bëhej president i saj. Borman shërbeu gjithashtu si ambasador special presidencial në udhëtime në të gjithë Lindjen e Largët dhe Evropën.

Borman ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë Medaljen Hapësinore të Kongresit të Nderit. Në vitin 1990, Borman u fut në Sallën e Famës Ndërkombëtare të Hapësirës dhe në vitin 1993 në Sallën e Famave të Astronautëve Amerikanë.