Deputeti demokrat Lefter Gështenja deklaron se opozita duhet të bashkohet pas më shumë se 2 vitesh përçarje për të sfiduar mazhorancën.
I ftuar në studion e Report Tv, Gështenja tha se beteja në Parlament është parimore pas rrëzimit të kërkesave legjitime të opozitës siç është refuzimi për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare si dhe riformatimi i komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Nga informacionet që kam unë, në tryezat opozitare kanë qenë të ftuar të gjithë kolegët që kanë dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. Unë do të doja të jenë të gjithë në këto tryeza si opozitare. Nëse diskutojmë 45 apo 51 deputetë secili ka rezervat e veta për secilën palë. Ne duhet të na bashkojë opozita përballë kësaj qeverie. Nëse ne do të vazhdojmë të shohim problematikat ato që kemi bërë prej më shumë se 1 viti e gjysmë, kjo opozitë shkon drejt shkatërrimit. Ajo që duhet të bëjmë është kjo që kemi bërë tani, është bërë hapi i parë, një opozitë funksionale në Parlament. Nëse mazhoranca pranon kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare dhe firmatohet Komisioni i Reformës Zgjedhore, ne rikthejmë normalitetin në Parlament”, u shpreh Gështenja.
Ai tha gjithashtu se proceset e zhvilluara deri më tani si nga Rithemelimi ashtu edhe PD-ja zyrtare e kanë dëmtuar opozitën.
“Asnjëra nga palët nuk është zyrtarisht Partia Demokratike”, thotë Gështenja, duke shtuar se thellimi i krizës mund ta çojë opozitën në ndarje të mëtejshme dhe shndërrimin e saj në disa copëza.
“Sa kohë do të jem në politikë do të flas kështu si e kam bindjen. Nëse duam vërtetë që opozita, PD-ja dhe opozita në tërësi, duhet një ekip i ri, frymë e re, model i ri. Nëse ne do të vazhdojmë kështu si kemi vazhduar deri para 2-3 muajsh unë them nuk shkojmë asgjëkundi. Kam kontribuar dhe kontribuoj për një PD dhe të djathtë fituese dhe jo për një PD që nesër mund të jetë një LSI e dytë. Nuk është ky misioni im, nuk dua të jem deputet me këtë model. Unë dua të vazhdoj në politikë duke kontribuar për një forcë alternativë qeverisëse. Nëse ne shohim interesat personale, interesat e karriges të secilit atëherë dakord, secili të marrë vendimin e tij, por unë nuk jam për këtë model. Jam për modelin që opozita në 2025, por pse jo edhe më shpejt të jetë alternative qeverisëse”, u shpreh ai.