Aktualitet Gjykata lë në burg edukatoren: Kërkoj ndjesë, nuk e kam kuptuar që...

Gjykata lë në burg edukatoren: Kërkoj ndjesë, nuk e kam kuptuar që e mitura ka thyer këmbën

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Majlinda Dehimën, edukatoren 48-vjeçare që pak ditë më parë dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin “Stinët”

Dehima akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për keqtrajtim të të miturës në lidhje me dhunën ndaj 3-vjeçares e cila për pasojë ka thyer këmbën.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, ku Dehima dha shpjegimet e saj lidhur me ngjarjen e ndodhur me 1 nëntor. Ajo ka mohuar ta ketë prekur me dorë dhe ka kërkuar ndjesë për atë që ka ndodhur. Ajo është shprehur se nuk e ka kuptuar që e mitura ka thyer këmbën.

“Nuk e kam prekur me dorë. Kërkoj ndjesë për çfarë ka ndodhur, por nuk e kam kuptuar që mitura e ka thyer këmbën”, mësohet të ketë thënë ajo,

Përmes avokatit, Dehima kërkoi të merrte një masë më të lehtë sigurie, por kjo u refuzua nga gjykata.

Sa i përket kopshtit “Stinët”, krahas mbylljes së aktivitetit vijon një hetim në gjendje të lirë për pronarin e kopshtit, Daniel Danushi që e ushtronte këtë aktivitet në ilegalitet pasi kopshti siç bëri me dije Ministria e Arsimit ishte i palicencuar.