Në përfundim të mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se mazhoranca do duhet të reflektojë, në të kundërtën opozitë është gati që të shkoj edhe drejt akteve ekstreme. Ai tha se opozita nuk po kërkon favor nga mazhoranca, por respektim të Kushtetutës.
“Mazhoranca të tërhiqet nga shkelja e Kushtetutës, jemi në Kuvend për të drejtat tona kushtetuese, nuk kërkojmë favor, pro respektim të Kushtetutës, po na nxisin të shkojmë drejt akteve ekstreme, sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë opozita e një vendi kandidat nxitet të shkojë drejt akteve ekstreme”, tha Bardhi.
Thumbon Bashën
Pas dy vitesh të ndarë, Gazment Bardhi tha se opozita është e bashkuar. Mirëpo, ai nuk ka lënë pa thumbuar Lulzim Bashën dhe grupin e deputetëve që e mbështesin atë.
“Ne jemi bashkë në parlament dhe jashtë parlamentit, lajmi i mirë për çdo opozitar është që opozita e gjitha bashkë është e vendosur për të bërë betejë në parlament dhe jashtë saj, tashmë nuk ka më përçarje opozitës, secila ka gjetur vendin e tij, një pjesë ne mazhorancë dhe pjesa tjetër është e gjitha bashkë dhe funksionale”, u shpreh Bardhi.
“Kam takuar disa ambasadorë”
Bardhi bëri me dije se ka takuar një sërë takimesh me ambasadorë të huaj në Tiranë, për t’i informuar mbi aksionin opozitar. Sipas tij, ndërkombëtarët kanë qëndrim të qartë, kritik ndaj mazhorancës dhe në mbrojtje të opozitës. Ai nuk dha detaje se cilët ambasadorë ka takuar, por shtoi se aksioni opozitar do të vijojë deri sa të marrin të drejtat që sipas tij, iu mohohen.
“Unë i kam informuar, një pjesë prej tyre i kam takuar, Komisioni Europian ka mbajtur një qëndrim, ka një thirrje nga Gjermania që qeveria dhe mazhoranca duhet të bëjnë më shumë për të drejtat e opozitës, mënyra më efikase e jona është që të jemi alternative, ne nuk shpalosim ide dhe alternativa kur propozimet tona ligjore mbahen në sirtar nga Lindita Nikolla”, tha Bardhi.
Në përfundim, shtoi se të gjithë deputetët demokratë janë të gatshëm në çdo kohë për të shkuar drejt akteve ekstreme, përfshirë këtu edhe grevën.