Kryesore Gjykata e Tiranës nuk njeh Kuvendin e 2 shtatorit të Lulzim Bashës

Gjykata e Tiranës nuk njeh Kuvendin e 2 shtatorit të Lulzim Bashës

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.

Gjyqtari Niko Rapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo statut i ndryshuar.

Në këtë mënyrë, statuti i dalë në 2 shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe kryetar i Grupit Parlamentar nuk është miratuar dhe procesi është pezulluar deri në shprehjen e Gjykatës së Lartë.

Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi është njohur si palë nga Gjykata e Tiranës.

Ata kanë kërkuar nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

Çlirim Gjata deklaroi se ajo pjesë që e konsideronte veten PD, tashmë ka rënë.

“Kërkuesi kërkon pezullimin, atë që kërkon edhe kundërshtari. Erdhën te ne, aty ku po vinë të gjithë.”

Ndërkohë, nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Lulzim Bashës, Indrit Sefa deklaroi se vendimi i sotëm nuk sjell asnjë lloj problematike në organizmin e brendshëm të Partisë Demokratike.

“Ne do të vijojë të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit”, deklaroi ai për mediat.

Kurse, përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga Gazment Bardhit, Marash Logu, deklaroi pas përfundimit të seancës se, përmes këtij vendimi, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë të mbyllur mundësinë që Basha, të bëhej kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

“Gjykata e Tiranës vendosi sot që ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës.”