Bota Izraeli transferon inkubatorë për foshnjat në spitalin në Gaza

Izraeli transferon inkubatorë për foshnjat në spitalin në Gaza

Ushtria izraelite ka thënë se është “në proces” të transferimit të inkubatorëve nga një spital në Izrael në Gaza.

Masa mund të jetë për të lehtësuar evakuimin e foshnjave të porsalindura nga spitali më i madh i Gazës, raporton Sky News.

Al-Shifa ka mbetur pa karburant dhe ka ditë të tëra pa energji elektrike dhe ujë, ndërsa aty pranë kanë vazhduar të shtënat me armë zjarri dhe bombat.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të udhëhequr nga Hamasi, Ashraf al Qidra tha se 32 pacientë kishin vdekur në tre ditët e fundit, duke përfshirë tre foshnja të porsalindura.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) postuan një imazh të një ushtari që shkarkonte inkubatorët nga një furgon këtë mëngjes.

IDF ka thënë më parë se do të ndihmonte në lehtësimin e transferimit të foshnjave nga spitali, por nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me planin apo se ku do të zhvendosen.

Biden: Spitalet në Gaza duhet të mbrohen

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se spitalet në Gaza duhet të mbrohen gjatë luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se shpreson që Izraeli të kryejë sa më pak veprime ushtarake pranë spitaleve, teksa tanket e ushtrisë avancuan në hyrje të spitalit kryesor të zonës.

“Shpresa dhe pritshmëria ime është se do të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalet dhe do të mbetemi në kontakt me izraelitët”, tha Presidenti Biden.

Tanket e Izraelit janë pozicionuar jashtë spitalit Al Shifa, qendra kryesore mjekësore në Rripin e Gazës. Izraeli thotë se ky spital ndodhet pranë disa tuneleve ku strehohen luftëtarë të Hamasit të cilët përdorin pacientët si mburoja.

Por Hamasi i ka mohuar këto pretendime të Izraelit.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 Tetor, kur grupi terrorist Hamas sulmoi Izraelin duke shkaktuar 1200 viktima dhe 240 të tjerë i mori pengje.

Izraeli u kundërpërgjigj duke bombarduar Rripin e Gazës. Nga bombardimet në Gaza kanë humbur jetën 11 mijë persona, 40% e të cilëve fëmijë.