Gjykata e Shkodrës është shprehur pro ekstradimit të shtetasit rus Igor Kokunov, i cili akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi.
Mësohet se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendësprokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë dhe kjo bie ndesh me Konventën Ndërkombëtare.
Avokati mbrojtës u shpreh se vepra penale për të cilën është i dyshuar Kokunov si pjesë e hierarkisë së lartë kriminale në Rusi nuk është e parashikuar në kodin penal të Shqipërisë dhe në asnjë dispozitë tjetër ligjore. Shehu thotë se klienti i tij nuk mund të ekstradohet në një shtet si Rusia që shkel të drejtat e njeriut.
Kokunov kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta, por gjykata vendosi për ekstradim.
Igor Kokunov ndodhej në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe.
Pak kohë më parë kishte informacion se grupet kriminale të Beogradit në Serbi dhe Kotorrit në Malin e Zi do tentonin lirimin e tij përmes arratisjes ndaj edhe për të janë marrë masa të rrepta sigurie.
Avokati i rusit thotë se vendimin e Gjykatës së Shkodrës do ta apelojnë.