Jeta në socializëm i ka kalitur dhe derrat, si Leicoma, derri gjermano-lindor që mbijetoi ndryshimin e sistemit. Republika Demokratike Gjermane kishte krijuar me Leicomën racën e vet socialiste të derrit.
Politikisht derri i racës, Leicoma ka kohë që ka vdekur, ashtu si dhe Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), ku u krijua kjo lloj race. Por në lindje të Gjermanisë kjo racë derri ekziston akoma, falë holandezit Wouter Uwland-it, që është kultivuesi i fundit i tyre.
Ai prodhon çdo vit rreth 2.500 derrkucë Leicoma. Dhe kuptohet këtë nuk e bën për qejf, por sepse prej derrave socialistë nxjerr mjaft fitime. “Derrat i dërgojmë në impiantin e mbarështrimit të derrave që ndodhet dhjetë kilomera larg, në fshatin fqinjë. Atje ata qëndrojnë deri sa bëhen dhjetë-njëmbëdhjetë muajsh, kur arrijnë peshën 180 kg, dhe bëhen gati për t’u therrur.” – thotë Wouter Uwland.
Rezistentë dhe kokëfortë
Leicoma, është fjalë e krijuar nga bashkimi i gërmave të para të emrave, Lajpcig, Kotbus, Magdeburg, tre rretheve gjermane të ish-Gjermanisë lindore socialiste, ku kultivohej derri, ose më mirë të themi, ku prodhohej mish derri.
Në impiantet e mbarështimit dhe të shumimit të derrave në RDGJ kishte rreth 170 mijë derra që i mbanin në salla të vogla dhe i ushqenin automatikisht, për të realizuar parashikimet e planeve socialiste. Mishi i derrave eksportohej kryesisht në perëndim për të rritur sasinë e valutës.
Jeta në këto kushte pati efekte anësore: derri Leicoma njihet si kokëfortë, që nuk përshtatet lehtë me kolektivin socialist. “Ata janë shumë kokëfortë. Kanë kokën e vet, kushtet në impiantet e mëdha nuk ishin të lehta për kafshët, dhe çdo kafshë luftonte për vete për t’ia dalë mbanë.” – thotë Wouter Uwland.
Por para fillimit të kundër-revolucionit në stallë, Gjermanisë lindore i erdhi fundi dhe bashkë me të edhe derrit Leicoma: mbarështimi i mishit në perëndim ishte më efektiv. Gjermanët e ribashkuar, i lanë derrat gati të zhdukeshin.
Jeta në socializëm i ka kalitur dhe derrat
Por për fatin e mirë të derrave holandezi, Wouter Uwland, erdhi dikur në këtë zonë dhe u njoh me forcën e derrave të Gjermanisë Lindore. Në fermën e tij në landin e Saksonisë, derrat Leicoma rriten tani në ajër të pastër dhe rrinë jashtë pavarësisht nga koha. Jeta në Gjermaninë Lindore duket se e ka forcuar racën e tyre.
“Leicoma është derr i vështirë. Por shumë i përshtatshëm në ditët e sotme dhe ai është shumë produktiv. Ata janë më të rëndë se të tjerët.” – tregon Wouter Uwland. Derrat Leicoma kanë dhjamë të mirë në bark dhe brinjë dhe një mish, që ka tjetër pamje nga mishi i racave të tjera.
“Leicoma vetë ka ngjyrë më të errët. Ditëve të sotme mishi i pjesës më të madhe të derrave që rriten me shumicë, duket si mish gjoksi pule.” – sqaron Wouter Uwland.
Edhe kasapi Marcus Benser është i bindur për përparësitë e derrit të krijuar në socializëm, pavarësisht nga ideologjia. “Në fund të fundit Gjermania Lindore u mundua të ringjallte një derr tipik fshati, sepse e kuptoi atë që kam kuptuar edhe unë, se llojet tradicionale nuk mund të përshtaten me rritjen dhe mbarështimin modern të derrave.
Me derrin Leicoma socializmi gjermano-lindor me sa duket ka dalë fitues ndaj derrave kapitalistë gjermano-perëndimorë, si sa i përket mishit edhe sallamrave./DW