Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave që do të zbatohet gjatë ditës së hënë, për ndeshjen e fundit eliminatore Shqipëri-Ishujt Faroe, e vlefshëm për Euro 2024.
Në planin e publikuar nga policia mësohet se janë parashikuar me detaje të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti futbollistik, që prej shoqërimit nga aeroporti i ekipit mik, siguria dhe kontrolli në stadium, ruajtja e rendit dhe deri në akset që do të bllokohen.
Në hartimin e planit të masave, policia deklaron se ka bashkëpunuar dhe me FSHF, Bashkinë Tiranë, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë etj…
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 20 nëntor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.