Trajneri Sylvinho doli sot për herë të fundit në konferencë shtypi para një ndeshjeje eliminatore të Euro 2024. Ai foli për ndeshjen me Ishujt Faroe, që mbyll kualifikuesit, dhe theksoi se do vetëm fitoren.
Trajneri brazilian shpjegoi se është e rëndësishme që të sigurohet vendi i parë për të pasur edhe një pozicion më të mirë në shortin e grupeve në Europian. Ai pohoi se do të ketë ndryshime në formacion.
“Ishte diçka fantastike kualifikimi për në Europian. Festuam në Moldavi, sepse arritëm objektivin e parë. Ditën tjetër u kthyem në fushë, duke nisur përgatitjet për Ishujt Faroe. Duhet të bëjmë një ndeshje sa më të mirë dhe të fitojmë, sepse kështu do të kemi një pozicion më të mirë në shortin e grupeve. Duam vazon e dytë, por jo se duam të shmangim ndonjë kundërshtar.
Në Moldavi e menaxhuam mirë ndeshjen, por hasëm vështirësi në 10 minutat e fundit. Gjithsesi, e kaluam atë pjesë. I kemi fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi dhe shpresoj ta fitojmë edhe këtë me ndihmën e tifozëve tanë të mrekullueshëm. Kemi dhe një seancë të fundit përpara kësaj ndeshjeje.
Tifozët janë përgatitur për festë dhe kjo është e drejtë, por ne kemi punën tonë në fushë. Patjetër që do të ketë ndryshime, do të kemi një skuadër më të freskët, sepse është e vështirë që të luash sërish me të njëjtët lojtarë pas 3 ditësh”, theksoi Sylvinho