Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas seancës së shkurtër parlamentare ku mes kaosit u votua në parim buxheti i vitit 2024. Kreu i qeverisë ka komentuar veprimet e opozitës për të cilët thotë se kanë prekur fundin dhe se “i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia”.
“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkruan Rama në Twitter.