GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Ky i fundit, në një deklaratë të shkurtër jashtë ambienteve të SPAK, u shpreh se nuk e kundërshton këtë vendim.
Edhe pse akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” lidhur me dosjen e koncesionit të sterilizimit, Beqaj vë theksin te puna e mirë që është bërë në shëndetësi gjatë kohës që ai drejtonte ministrinë.
“Kam vendosur që përtej rezervave që kanë avokatët e mi, të mos e kundërshtoj atë vendim. Së dyti unë vazhdoj besoj se çfarë kemi bërë në shëndetësi ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë një ndryshim rrënjësor për shërbimin shëndetësor të shqiptarëve. Për çështjen në fjalë, në janar bëhen 8 vjet që hetohet. Në këto 8 vjet, çdo ditë, në 100 salla kirurgjie të Shqipërisë, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkohore, sterile. Çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë operohen në kushte sterile dhe në çdo operacion financave të shtetit shqiptar i kursehen çdo ditë, 2.4 ditë qëndrimi në spital. Faleminderit!”, deklaroi Beqaj.