Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, vendosi këtë të hënë të zbuste masën e sigurisë ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Apeli i GJKKO caktoi ndaj Malltezit masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërkohë që la në fuqi masën “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i kalimit jashtë vendit” për Sali Berishën.
Në njoftimin zyrtar të GJKKO bëhet me dije se me masën e re të sigurisë, Malltezit i ndalohet të largohet nga banesa e tij, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.
Berisha dhe dhëndri i tij akuzohen nga SPAK në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Malltezi u arrestua në Rinas më 21 tetor me urdhër të SPAK. Mbi të rëndojnë akuzat për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.
Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi, ortak i Malltezit dhe ndërtues i kompleksit të pallateve.
Ish-kryeministrit i është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.