Prej dekadash kineastët dhe autorët përpiqen të zbardhin të vërtetën për vrasjen e John F. Kennedyt. Por shumica e tyre hasin në terr.
Kur më 22 nëntor 1963 ra plumbi i parë ndaj autokolonës, që kalonte përmes Dallasit, ai goditi në grykë presidentin John F. Kennedy. Pak sekonda më vonë koka e tij ra mbrapsht, pasi u prek nga një plumb i dytë vdekjeprurës.
Një doras i vetmuar apo jo?
Materiali filmik i Zapruderit le të hamendësosh, se atentatori i pandehur Lee Harvey Oswald, një ish-ushtar i marinës asokohe 24-vjeçar, nuk ka vepruar i vetëm. Komisioni Warren, që atëherë hetoi rrethanat e vrasjes së Kennedyt, arriti megjithatë në konkluzionin, se Oswald si doras i vetëm ka qëlluar të dy plumbat ndaj Kennedyt që nga shkolla Texas School Book Depository që ndodhej aty pranë.
60 vjet pas kësaj dite, që tronditi botën, shumë vazhdojnë të shtrojnë pyetjen, se nga erdhën plumbat, ndër të tjera kjo pyetje trajtohet edhe në produksionin aktual në Hollywood “Assassination”, me yjet e kinematografisë si Courtney Love, Viggo Mortensen, Shia LaBeouf, Al Pacino dhe John Travolta. Filmi i David Mamet bazohet në teorinë, se mafia e Çikagos ka mandatuar vrasjen e JFK, pasi ai ishte përpjekur ta gjunjëzonte atë.
Teoritë nuk mungojnë
E saktë është, se Kennedy përpara emërimit president kishte pasur lidhje të ngushta me mafien. E ai pas marrjes së postit iu kundërvu gangsterëve, duke udhëzuar hetime në nivel federal dhe përndjekje, që kërcënonin pushtetin dhe përfitimet e kriminalitetit të organizuar.
Por kjo është vetëm njëra nga një duzinë teorish, që janë krijuar që pas ditës fatale. Vepra më e njohur për sfondin e vrasjes së JFK është eposi filmik i Oliver Stone “JFK – Vendngjarja Dallas” i vitit 1994. Në këtë film Kevin Costner luan prokurorin e qarkut të Nju Orleans, Jim Garrison, i cili beson, se pas atentatit qëndron më shumë, se sa gjetjet e komisionit Warren. Garrison dhe ekipi i tij hamendësojnë, se Oswald, të cilit iu ngarkua atentati, ka qenë agjent i CIA-s.
Enigma Lee Harvey Oswald
Oswald disa kohë i pati kaluar në Bashkimin Sovjetik, gjë që ushqeu spekulimet për influencën e Moskës. Por të tjerë autorë hamendësojnë një influencim të Kubës, pasi Kennedy ishte i interesuar të rrëzonte komunistin revolucionar Fidel Castro. Edhe ndaj FBI-së dhe pasuesit të Kennedyt në presidencë, Lyndon Baines Johnson (LBJ), lindën dyshime.
“The Man Who Killed Kennedy: The Case Against LBJ” është libri nga pena e Roger Stone, një bashkëpunëtor i Donald Trump, i cili pretendon, se pasardhësi i Kennedyt ka bashkëpunuar me gangsterë dhe shërbimet sekrete të SHBA-së për të vrarë presidentin. Shumë prej këtyre librave dhe filmave spekulativë janë publikuar gjithmonë me afrimin e ditës përkujtimore të vdekjes së Kennedyt, ndër to edhe libri i Stone, që doli në qarkullim 50 vjet pas vrasjes së JFK.
“Dëshmitari i fundit” flet pas heshtjes për dekada
Në shtator të këtij viti “New York Times” u mor nga afër me një raport të Paul Landis, një ndër agjentët sekret, që ndodhej vetëm pak metra larg Kennedyt kur u qëllua ndaj tij. Raporti i Landisit vë në pikëpyetje teorinë e “një plumbi të vetëm” të komisionit Warren. Sipas kësaj teorie, vetëm njëri nga tre plumbat depërtoi gurmazin e Kennedy-it përpara se të godiste guvernatorin e Teksasit, John B. Connally, që ishte ulur në sediljen e përparme duke e plagosur atë në shtyllën kurirzore, në gjoks, në kyçin e dorës dhe në kofshë.
Është e habitshme, që Landis pavarësisht se ndodhej kaq pranë ngjarjes, asnjëherë nuk është marrë në pyetje nga Komisioni Warren. 60 vjet rresht, edhe sot 88-vjeçari, ka heshtur për këtë temë. Në memuaret e tij të botuara në Gjermani më 10 tetor 2023 me titullin “The Final Witness”, Landis shkruan, se ai nuk do të përhapë teori konspiracioni për vdekjen e JFK. Por meqënëse ai e hedh poshtë pretendimin, se një plumb i vetëm ka shkaktuar kaq shumë dëm, kjo do të thotë si rrjedhojë, që Oswald nuk ka qenë i vetmi atentator.
Gjithnjë e më shumë dokumenta
Libri i vitit 1993 “Case Closed” nga Gerald Posner në të kundërt arrin në përfundimin, se Lee Harvey Oswald ka vepruar i vetëm. Oswald vetëm dy ditë pas vrasjes së Kennedyt u vra nga pronari i një klubi nate, Jack Ruby, në qilarin e presidiumit të policisë në Dallas. Komisioni Warren nuk gjeti dëshmi, që Ruby të ketë qenë pjesëmarrës në vrasjen e JFK, madje as që vrasja e Oswald prej tij ka qenë pjesë e një kamuflimi.
Në dhjetor 2022 arkivat kombëtare të SHBA-së publikuan 13.173 dokumenta në kontekstin e vrasjes së JFK, pasi administrata e presidentit Trump më 2017 ndërmori një hap të ngjashëm. Kësisoj 97 përqind e dokumentave në kontekst me atentatin janë sot publike.
Një histori pa fund
Familjen Kennedy duket se e ka ndjekur tersi: Vëllai më i ri i JFK, Bobby Kennedy u vra më 1968, kur nisi luftën elektorale për president, ambiciet e vëllait të tij më të ri Edward Kennedy u asgjësuan, pasi ai u largua nga vendi i aksidentit me makinën që ngiste vet, ku humbi jetën gruaja e ulur krah sediljes, ndihmësja elektorale e tij Mary Jo Kopechne. John F. Kennedy Jr., i biri i ish-presidentit të SHBA-së ndërroi jetë nga rrëzimi i një avioni luftarak më 16 korrik 1999 pranë ishullit Martha’s Vineyard.
Nga veprimet e tij heroike gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri tek aferat e bujshme ndër të tjera me Marilyn Monroe si dhe angazhimin e tij për të drejtat qytetare dhe planet vizionare për fluturimet në hapësirë Kennedy vazhdimisht ka magjepsur, aq më shumë magjeps ai edhe pas vdekjes.
60 vjet pas vrasjes së presidentit në limuzinën e tij të hapur spekulimet për motivin e vrasjes vazhdojnë me dekada. Regjisori i filmit “JFK” Oliver Stone duke iu referuar teorisë zyrtare të një atentatori të vetëm është shprehur: Opinioni amerikan “asnjëherë nuk e ka pranuar këtë”, konspiracionin mund ta nuhasni në ajër./DW