SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim për ish-inspektorin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), Ilir Kapetani, i arrestuar për korrupsion.
Sipas SPAK, ai është i përfshirë në të paktën 14 episode korruptive, me trashëgimtarë të ish-pronarëve, duke iu marrë shuma parash në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
“I pandehuri Ilir Kapetani është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, të kryer në 22 (njëzetë e dy) raste. Ndërkohë, të pandehurit D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal”, bëri me dije SPAK.