Një skuadër e plotë e Kombëtares shqiptare e stacionuar në Lushnjë. Trajneri dhe 12 lojtarë nga përfaqësueset e moshave e deri në skuadrën “A”, që janë banorë të qytetit të Myzeqesë.
Rasti më i fundit është ai i trajnerit Sylvinho. I lindur në São Paulo, qytetin më të madh të Brazilit për nga popullsia dhe metropolin e katërt më të madh në botë, por tashmë me pasaportizim në Lushnjë.
Në ditën e parë të samitit të diasporës, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi dhënien e pasaportës për teknikun kuqezi, që nga ana e tij ndihet “100% shqiptar”.
Përpos Sylvinhos, si banorë të Lushnjës janë regjistruar edhe Mirlind Daku dhe Arbnor Muja. Vetëm pak muaj më parë, ata u pajisën me pasaportë shqiptare, ku u regjistruan në qytetin ku ministri i Brendshëm, Taulant Balla është deputet.
I gjendur gjithmonë shumë pranë Kombëtares në muajt e fundit, ministri i Brendshëm ka ndihmuar në shmangien e burokracive për futbollistët gjatë procesit të pajisjes me pasaportë, duke i ndihmuar që ata të vihen menjëherë në dispozicion të Kombëtares.
Mes futbollistëve të spikatur që janë regjistruar në Lushnje për efekt dokumentacioni janë edhe kapiteni i Shpresave, Medon Berisha, por edhe Rashica, që më parë ishte aktivizuar me moshat e Kosovës.