Gati shtatë javë pas fillimit të luftës Izrael-Hamas do të heshtin për herë të parë armët për katër ditë. Të premten në mëngjes hyri në fuqi ndalimi i luftimeve.
Që nga e premtja herët në Rripin e Gazës ka hyrë në fuqi ndalimi i luftimeve mes Izraelit dhe organizatës terroriste, Hamas për katër ditë. Ndalimi i luftimeve filloi zyrtarisht në orën 06:00. Emirati i Katarit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes, bëri të ditur, se sapo të ndalen luftimet do të dërgohen ndihma humanitare në zonën e rrethuar palestineze. Qëllimi i Katarit është që nga ndalimi i luftimeve të kalohet në një ndalim të përhershëm të shkëmbimit të zjarrit.
Çdo ditë 200 kamionë me ndihma humanitare
Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Katarit, të premten në orët e pasdites, rreth orës 16:00 me orën lokale, pritet që të lirohen edhe pengjet e para nga Hamasi, mes tyre 13 gra dhe fëmijë. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu tha në një njoftim, se ka marrë “një listë të parë” me emrat e pengjeve dhe se qëndron në kontakt me familjet e të gjithë pengjeve. Në të njëjtën kohë do të lirohen të burgosur palestinezë nga burgjet izraelite. Gjatë ndalimit të luftimeve pritet të lirohen 50 pengje, gra, fëmijë e të rinj nën 19 vjeç. Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë.
Përmes pikës kufitare të Egjiptit, Rafah do të kalojnë përditë në Rripin e Gazës 130.000 litra naftë dhe katër kamionë me bombola gazi gjatë ditëve ku vlen ndalimi i luftimeve. Gjithsej do të dërgohen përditë 200 kamionë në ditë në zonën palestineze, bënë të ditur autoritetet egjiptiane.
“Lufta nuk ka mbaruar”
Edhe pas hyrjes në fuqi të ndalimit të luftimeve, në orët e mëngjesit ka pasur sërish alarm në zonën kufitare izraelitë. Ushtria izraelite bëri të ditur, se sirenat e alarmit u dëgjuan në komunat përgjatë kufirit me Rripin e Gazës. Edhe gjatë luftërave të mëparshme në Gaza, ka pasur në fillim marrëveshjes për ndalimin e luftimeve shkelje të saj.
Sipas ushtrisë izraelite, kontrolli mbi pjesën veriore të Rripit të Gazës është “vetëm etapa e parë” në rrugën e shkatërrimit të organizatës terroriste të Hamasit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari foli në konferencën e shtypit për “luftë të gjatë”. “Në ditët e ardhshme do të përqendrohemi në planifikimin dhe zbatimin e etapave të tjera të luftës”.
Ministri i Mbrojtjes, Joav Gallant tha se pas “përfundimit të këtyre katër ditëve të ndalimit të luftimeve, ushtria do të vazhdojë operacionet e saj edhe për të paktën dy muaj. Operacionet do të zgjasin derisa të mos kemi më asnjë kërcënim ushtarak prej andej“.