Dimri ka mbërritur në këtë fund nëntori, ku termometri do të shënojë vlera deri në – 6 gradë në zonat e thella dhe deri në 2 gradë në qendër të Shqipërisë.
Moti i keq ka pushtuar vendin, ku në njërën anë, veri-perëndim dhe ulësirën perëndimore kemi prezencë të reshjeve të shiut dhe në anën tjetër veri, veri-lindje, reshje dëbore me intensitet.
“Parashikohet që sot deri pas mesnatës të ketë reshje të konsiderueshme dëbore pothuajse në të gjithë shtrirjen lindore. Madje dëbora zbret deri në 300 metra mbi nivelin e detit, duke bërë që të zbardhet pothuajse e gjithë zona malore. Pritet që në zona të thella të kemi një trashësi të konsiderueshme, ku mund të jetë edhe mbi 50 cm dëborë”, tha sinoptikania Lajda Porja për Tv Klan.
Por dita e diel do të jetë dita më e ftohtë në gjithë vendin, pasi një rrymë e ftohtë siberiane do të prekë Shqipërinë deri të hënën.
“Kjo masë do të mbetet prezente deri ditën e hënë. Kjo do të bëjë që e diela përmirëson ndjeshëm situatën e reshjeve, ku mbeten vetëm reshje të dobëta dhe të izoluara, por kemi temperatura të ulëta, ku minimalet shënohen minus 5 e minus 6 në zonat malore dhe maksimalet janë jo më shumë se 9-10, një ditë tipike e acartë”, tha Porja.
Por nga e hëna, vlerat termike do të përmirësohen, por moti sërish do të jetë i paqëndrueshëm edhe më 28 Nëntor.
“Pjesa më e madhe e Ultësirës Perëndimore do të ketë rrebeshe, ku në një kohë të shkurtër do të bjerë një sasi e konsiderueshme e shirave”, tha sinoptikania.
Në zona të caktuara, do të ketë ngrica ndërsa në këto kushte, veçanërisht drejtuesit e automjeteve duhet të bëjnë më shumë kujdes.