Pronat e biznesmenit Pëllumb Gjoka do të mbeten nën sekuestro. Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e pranoi kërkesën për lirimin e 3 sipërfaqeve toke në plazhin e Velipojës. Prokuroria e Posaçme la nën sekuestro 3 sipërfaqe pylli në Pulaj Plazh të Velipojës, të poseduara nga shoqëri tregtare dhe persona të lidhur me biznesmenin Pëllumb Gjoka.
Ai ndodhet në qeli i arrestuar me dyshimet se ka qenë i përfshirë në porositje vrasjesh në Shkodër dhe Tiranë. Gjoka, i cili ndër të tjera, hetohet nga SPAK edhe si pjesë e një grupi kriminal, dyshohet se i ka përfituar këto prona, duke falsifikuar dokumente në bashkëpunim me persona të tjerë.
Ky sekuestrim erdhi pas hetimit penal të nisur ndaj tij, teksa SPAK ka të hapur edhe hetimin pasuror prej gushtit dhe është duke kaluar në sitë edhe pasuri të tjera në pronësi të biznesmenit dhe të afërmve të tij. Biznesmeni Pëllumb Gjoka ra në pranga në fund të muajit korrik, pas zbardhjes së disa komunikimeve në platformën SKY, të sjella nga autoritetet franceze.
Ai dyshohet se ka porositur një atentat në Tiranë të pafinalizuar dhe ka qenë në dijeni dhe siguruar kushte për krime të tjera të kryera, nga Behar Bajri dhe persona të tjerë të arrestuar në këtë dosje të njohur si Metamorfoza.