Stefano Pioli e pati cilësuar si “ndeshjen më të rëndësishme të sezonit”, por kjo nuk mjaftoi që Milan të jepte më të mirën.
Kuqezinjtë janë me një këmbë jashtë fazës së 1/16 të Champions League, pas një disfate të papritur në shtëpi përballë gjermanëve të Borussia Dortmund.
Kuqezinjtë patën të parët shansin për të kaluar në avantazh, por Giroud dështoi të kthente në gol një 11 metërsh, në minutën e 6-të të sfidës.
Katër minuta më vonë nga pika e bardhë për verdhezinjtë nuk bëri të njëjtin gabim si francezi, ish-kpiteni Marco Reus.
Pavarësisht disavantazhit Milani këmbënguli për të gjetur golin e barazimit dhe më i miri në fushë në pjesën e parë, Chukwueze e gjeti atë në një aksion të mrekullueshëm personal, në minutën e 37-të. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Historia ndryshoi në pjesën e dytë të sfidës, ku Dortumnd heshti “San Siron” me golin e avantazhit të shënuar në të 59-ën nga Bynoe-Gittens.
Dhjetë minuta më vonë goditjen përfundimtare Milani e mori nga Karim Adeyemi, i cili gjeti golin pak minuta pas zëvendësoi Malen, që la fushën i dëmtuar.
21-vjeçari, i njohur në Shqipëri pas lidhjes së dashurisë që nisi me këngëtaren shqiptare Loredana Zefi, shënoi një gol të bukur nga jashtë zone, edhe me bashkëpunimin e portierit Maignan.
Pas kësaj fitoreje me tregolësh në Milano, gjermanët kryesojnë grupin F me 10 pikë, duke befasuar jo pak pas nisjes katastrofike të këtij sezoni në Champions League.
Kuqezinjtë e Piolit mbeten në vendin e fundit me 5 pikë dhe do të luajnë gjithçka në sfidën e fundit me anglezët e Newcastle.