Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka njoftuar se është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Korçë.
Në një postim në rrjetet sociale Balla thotë se ai dyshohet për përfshirje në “trafikim të narkotikëve”. Sipas tij, asnjë rrënjë kanabisi nuk rritet pa dijeninë e policisë.
“Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për përfshirje në “Trafikim të narkotikëve”.
Ai përgëzoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë.
“Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Përgëzime dhe vetëm përpara!”, shkruan Balla.