Bota Rikthehet ferri në Gaza, Izraeli bombardon edhe jugun, mbi 180 viktima

Rikthehet ferri në Gaza, Izraeli bombardon edhe jugun, mbi 180 viktima

Luftimet në Gaza vijojnë të ashpra për të dytën ditë radhazi pasi bisedimet për të zgjatur më tej armëpushimin një javor dështuan dhe negociatorët thanë se bombardimet izraelite ndërlikuan përpjekjet për një tjetër pauzë.

Zonat lindore të Khan Younis në Gazën Jugore u bënë shënjestër e bombardimeve intensive me kolona të mëdha tymi që u panë të ngriheshin në qiell. Banorët e tmerruar vrapuan nëpër rrugë në kërkim të vendstrehimeve më në Perëndim

Tel Avivi njoftoi se forcat tokësore, ajrore dhe detare kishin goditur më shumë se 400 pozicione të Hamas. Ripërtëritja e luftës i kushtoi jetën të paktën 180 personave, ndërsa rreth 600 të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza. 20 godina banimi thuhet të jenë goditur.

“Shihni shkatërrimin, një kamp i tërë i asgjësuar nga bombat. Zoti e di se çfarë lloj bombash janë këto. Ata po na shfarosin, po e asgjësojnë Gazën. Kjo është ajo që u ndodh arabëve, ata vdesin”, tha një banor në Khan Younis.

Pasi kërkoi evakuimin e qytetarëve nga veriu i sulmuar rëndë, tani Izraeli po hedh fletushka ku i bëhet thirrje banorëve në disa zona jugore të largohen edhe më në jug, në drejtim të kufirit me Egjiptin.

Sirena u dëgjuan edhe në pjesë të Izraelit të premten, me interceptimin e raketave të lëshuara nga Gaza. Palët në konflikt akuzojnë njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit gjatë së cilit militantët e Hamasit liruan 105 pengje në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.

Teksa ngriti alarmin për përkeqësim të emergjencës ekstreme humanitare me rinisjen e luftimeve, OKB tha se ferri ishte rikthyer në Gaza.