Sot është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i madh Mirush Kabashi. Kabashi është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma, ndërsa shpesh e kemi parë edhe si prezantues të aktiviteteve të shumta artistike. Personazhe të njohur publikë dhe figura politike kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit, i cili ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama teksa ka ndarë një foto të artistit, në rrjete sociale ka shkruar shkurt: “Lamtumirë Mirush”.
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur, Mirush Kabashit. Begaj shkruan Kabushi ngriti peshë sallat kudo performoi.
“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shkruan Begaj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta në moshën 75-vjeçare të aktorit të madh, Mirush Kabashi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha, shpreh ngushëllime për miqtë dhe familjarët e Kabashit, si dhe vlerëson maksimalisht kontributin e aktorit në jetën artistike dhe kulturore të vendit.
“I hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit.
Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza.
Ngushëllimet e mia më të ndjera. Lutjet e mendimet e mia janë me familjen Kabashi, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e shumtë të mjeshtrit të madh.
U prehtë në paqe!”, shkruan Basha në facebook.