I afrohet butonit bërthamor, por refuzon ta shtypë, edhe pse ishte një simulim. Presidenti Vladimir Putin vizitoi një ekspozitë të arritjeve të Rusisë mbi armatimet bërthamore dhe energjinë, në atë që u duk si një nxemje para fushatës zgjedhore për presidencialet e vitit 2024. Putinit ou ofruan shpjegime mbi modelin e një bombe bërthamore sovjetike dhe ju tregua një panel kontrolli i rremë, para se të vëzhgonte, imazhet e shpërthimit dhe resë në formë kërpudhe.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Putin i ka kujtuar vazhdimisht perëndimit përmasat dhe aftësitë e arsenalit bërthamore të Rusisë, duke kërcënuar me shfarosje nga faqja e dheut, këdo që do të përpiqej të ndërmerrte një sulm kundër Moskës.
Putin ka dislokuar raketa taktike bërthamore në bjellorusi dhe ka ndryshuar qëndrimin e Rusisë në dy traktate të mëdha armësh, edhe pse duke këmbëngulur në të njëjtën kohë se nuk po e ndryshon doktrinën e përdorimit të tyre.
Putin pritet të konfirmojë këtë muaj, rikandidimin për një tjetër mandat 6-vjeçar në krye të Kremlinit. Ndërsa përpiqet të projektojë imazhin e një lideri të plotfuqishëm brenda vendit, 71- vjeçari vihet në lëvizje për të konsoliduar lidhjet me aleatët e mbetur ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Kremlinit njoftoi se presidenti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite dhe sedo të takohet gjithashtu me presidentin e Iranit në Rusi. Përveç çështjeve të energjisë dhe naftës për të cilat pritet të diskutoje më liderët e këtyre vendeve, Putini synon të dëshmojë atë që e sheh si dështim të SHBA për ta izoluar Rusinë.