Tre ditë pas vrasjes së Elton Javorit në Fier, policia ka mundur të gjejë automjetin e autorit të dyshuar të krimit. Bëhet fjalë për makinën tip Benz me të cilën udhëtonin vëllezërit Agim Gashi dhe Kreshnik Gashi, që shkëmbyen zjarr drejt makinës së Elton Javorit duke e lënë të vdekur këtë të fundit.
Automjeti është gjetur në garazhin e mbyllur të banesës së 70-vjeçarit Rexhep Puka, në Dërmënas të Fierit. Mësohet se Rexhep Puka është burri i tezes së autorëve të dyshuar.
Ndaj 70-vjeçari Rexhep Puka ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale përkrahja e autorit të krimit, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive.
Në makinën e të dyshuarit u gjet një gëzhojë arme, ndërsa në banesën e 70-vjeçarit u sekuestrua një fishek arme.
Gjithashtu, në të njëjtin garazh policia sekuestroi një makinë tjetër tip Benz i blinduar, në bagazhin e të cilës ndodhej një targë e vjedhur nga një makinë tjetër.
Në një tjetër banesë në zonë që ruhej nga 70-vjeçarit, uniformat blu gjetën 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Ndërkohë, autorët e dyshuar të vrasjes, vëllezërit Gashi, janë të shpallur në kërkim nga policia.