Pas gjashtë muajsh të shtegtimit të bagëtive në zonat e thella malore të Thethit në veri të Shqipërisë, Dedë Çobani është kthyer pak ditë më parë në banesën e tij në rrethinat e Shkodrës.
Shtegtimi i bagëtive në Shqipëri, tradita me të cilën është rritur Deda dhe vazhdon ta mbajë gjallë, është tani nën mbrojtjen e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Kulturë, UNESCO, si trashëgimi kulturore botërore.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Deda tregon se zanatin e çobanit, familja e tij e ka trashëguar brez pas brezi dhe se prej tij e ka edhe mbiemrin.
Ai kujton se si gjyshi dhe babai i tij niseshin për në bjeshkët e larta për të shtegtuar bagëtitë, për ceremonitë që kryheshin dhe për ndryshimin e traditës ndër vite.
Me 230 bagëti, 74 kilometra rrugë
“Tri ditë ec në këmbë për të çuar në stane 220 krerë dele dhe dhjetë lopë nga rrethinat e Shkodrës për në Theth. Janë 74 kilometra rrugë që e bëj në këmbë, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, për t’i çuar bagëtitë në mal. Nisemi në fillim të Majit dhe kthehemi në shtëpi në fund të Nëntorit”, tregon Deda.
Ai thotë se vështirësitë janë të mëdha për të përshkuar gjithë atë rrugë deri te ndalesa e parë në Theth, prej ku familja e tij është larguar që nga viti 2000.
Edhe pse vlerëson zhvillimin dhe investimet, thotë se ajo pjesë e shtegtimit që përfshin rrugën drejt Thethit, ku qarkullojnë mjaft makina me turistë, e vështirëson rrugën e një çobani.
Fillimisht, shtegtimin e bagëtive e kanë bërë prindërit e tij, ndërsa prej shtatë vjetësh ai e bën vetë.
Tregon se, deri në fund të Qershorit, bagëtitë i mban në Theth, e më pas niset drejt stanit të dytë, që është në një zonë më të lartë e që njihet me emrin “Logu i Hithave”.
Aty rri deri në Shtator, e më pas shtegtimi vijon në zonën e Dënellit, afër Luginës së Valbonës, në një lartësi prej 2.200 metrash nga niveli i detit.
Deda thotë se ka qenë 9 vjeç kur është bërë pjesë e shtegtimit të bagëtive, por thekson se ky ritual ka ndryshuar shumë.
“Ndryshimi më i madh është vetmia. Tani nisesh vetëm, pra niset secila familje për hesapin e vet, dhe je krejt i vetëm në stane, ndërsa kur isha fëmijë, nisja e shtegtimit të bagëtive ishte gëzim i madh dhe kishte organizim. Burrat e fiseve mblidheshin dhe vendosnin ‘datën e caktimit’ – kështu e quanin. Dhe në atë datë mblidheshin të gjitha familjet, fiset, i thërrisnin njëri-tjetrit nga një shpat mali në tjetrin. Kur takoheshin, binin lodrat, tupanët, këndohej”, rrëfen 43-vjeçari, duke kujtuar edhe darkat rreth zjarrit në stanet në majat e maleve.
“Ditën mblidhnim drutë dhe në darkë, pasi kishim përfunduar punët me bagëtitë, mblidheshim të gjithë rreth zjarrit, të gjitha familjet. Burrat u binin fyejve, çiftelive apo edhe lahutave dhe këndonin, tregoheshin histori, bëheshin lojëra… Në atë kohë ka qenë ‘loja e kapuçave’. Ata që fitonin, u këndonin këngë pak tallëse atyre që humbnin”, kujton Deda.
Ai thotë se edhe kur mungonte uji në burime, atë e siguronin duke shkrirë borën, të cilën gjithashtu e përdornin edhe për të ruajtur të freskët bulmetin dhe mishin.
Në tri stanet ku Deda dhe familja e tij ndalojnë për të shtegtuar bagëtitë, ai bashkëpunon me pronarët e bujtinave në zonën e Thethit, të cilëve u shet qumështin, bulmetin e mishin.
Kështu i kalon gjashtë muaj të vitit dhe në fund të nëntorit kthehet në Shkodër.
“Transumanca” – e gjithë jeta zhvendoset nga shtëpia në bjeshkë
Këtë javë, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, njoftoi se UNESCO-ja ka marrë nën mbrojtje traditën e shtegtimit të bagëtive.
Për ta përgatitur dosjen për në UNESCO, u angazhuan dy grupe pune, një për veriun dhe një për jugun e Shqipërisë.
Deda me bagëtitë e tij ishin pjesë e videos në dosjen që Ministria e Kulturës dorëzoi në UNESCO në Mars të vitit 2022.
Zef Gjeta, doktor i shkencave bujqësore dhe drejtues i grupit të punës për veriun e Shqipërisë, thotë se puna në terren mori dy vjet dhe u arrit falë një bashkëpunimi të fortë mes institucioneve shqiptare dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
“Transumanca [term ndërkombëtar për lëvizjen e barinjve nga shtëpia në stane dhe anasjelltas] nuk është vetëm shtegtim i barinjve, por është krejt jeta baritore. Veç bagëtive, ata marrin me vete edhe kuajt, qentë, pajisje për të fjetur, për të përpunuar qumështin… Gratë marrin pajisjet për të punuar leshin, për të thurur triko… E gjithë jeta zhvendoset nga shtëpia në bjeshkë”, thotë studiuesi.
“Ata kthehen më pas të pasuruar me qengja të rritur, me bereqet… Është e lidhur edhe me jetën urbane, se prej tyre varej edhe industria e leshit, lëkurës, mishit”, shton Gjeta.
Ai thekson se elementet etnografike, si veshja, gdhendja në dru, bërja e veglave muzikore apo interpretimi me to, janë pjesë e pandarë e këtij rituali.
“Shumë e lidhur me këtë traditë është edhe veshja. Xhubleta që tashmë është në UNESCO, bëhet me leshin e bagëtive. Është një veshje mbi 4 mijë vjet e vjetër dhe nëse rigjallërohet tradita e shtegtimit të bagëtive, ndikon edhe te realizimi i xhubletës që kushton mbi 3 mijë euro”, thotë Gjeta.
“Shumë e lidhur me bariun është edhe gdhendja në dru e furkës, e boshtit, e arkës së nuseve, por edhe veglat muzikore. Barinjtë kanë veglat e tyre muzikore, fyellin, çiftelinë, lahutën, që i gdhendnin vetë gjatë kohës kur ishin në stane. Kur ishin duke kullotur bagëtitë, kishin edhe biçak, sqepar, daltë, që u ndihmonin në bërjen e këtyre veglave. Dhe, në mënyrë autodidakte, brezat e rinj mësonin edhe gdhendjen, por edhe të luanin në vegla muzikore”, tregon ai.
Turistët “shtegtojnë” bashkë me barinjtë
Rituali i shtegtimit të bagëtive, kohët e fundit, ka zgjuar edhe interesin e turistëve të shumtë që vizitojnë Shqipërinë.
Jonida dhe Jeton Hida zotërojnë një prej fermave të para agro-turistike në Shqipëri, në zonën e Ersekës në jug të vendit.
Jonida tregon se në fermë mbajnë kuaj, dele, lopë, derra, pula dhe pata, ndërsa kopeja që shtegton prej muajit prill, shkon në rreth 600 krerë.
Kopeja dërgohet rreth 45 kilometra larg fermës.
“Nisen 5-6 persona që shoqërojnë bariun, që qëndron në stane deri në fund të nëntorit, dhe lëvizin në zona të ndryshme. Kjo, për disa arsye, sepse mund të ketë kafshë të egra, të thahet burimi, të thahet bari…”, thotë Jonida.
Ajo tregon se në përcjelljen e çobanëve kanë rastisur turistë që zgjedhin fermën e saj dhe shumë prej tyre kanë shprehur interesim për ta ndjekur këtë rrugëtim, duke e parë si një përvojë unike dhe interesante.
“Ua kemi shpjeguar se çfarë ndodh dhe pse. Ata kanë qenë shumë kureshtarë dhe kanë treguar interes të bëjnë guidë – qoftë kur niset çobani, por edhe kur shkojmë për t’iu çuar ushqime apo veshje. Një nga punonjësit tanë ua dërgon me kalë dhe shumë turistë kanë dashur ta bëjnë këtë rrugëtim dhe kanë mbetur të habitur”, tregon Jonida.
“Duke e parë këtë interesim, kemi vendosur që këtë guidë ta bëjmë me një program të posaçëm. Po diskutojmë me një kompani holandeze që ta organizojmë dhe ta quajmë ‘turi i staneve’”, thotë ajo.
Rënie drastike e numrit të bagëtive
Profesori Gjeta thekson se fakti që UNESCO-ja e ka marrë në mbrojtje traditën e shtegtimit të bagëtive, tregon se ka një arsye, apo një pikë kritike që lidhet me zvogëlimin e numrit të bagëtive.
“Në vitet ’90 kemi pasur 5.6 milionë bagëti të imëta, tani në Shqipëri ka 1.3 milion. Pra, rënia është drastike. Ky vendim duhet patjetër ta nxisë marrjen e vendimeve që t’iu shkojnë në ndihmë barinjve. Kemi propozuar në qeveri dhe te donatorët që barinjtë të kenë kushte stani më të mira, për t’i mbrojtur nga ujqërit dhe arinjtë që janë prezentë në ato zona, të subvencionohet një panel i vogël diellor që të kenë energji elektrike… Të ndihmohen me sjelljen e ujit afër stanit”, thotë Gjeta.
Nga Shqipëria, UNESCO-ja është duke shqyrtuar edhe dosjet për “Kërcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës” dhe “Këndimin me lahutë të këngëve të kreshnikëve”.
Aktualisht, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë: Gjirokastra, Butrinti, Berati, Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit në Luginën e Valbonës, si dhe xhubleta./REL