Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të premten e 24 prillit 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Syrja Bej Vlorën në lidhje asokohe me zgjidhjen e çështjes epirote, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
A është zgjidhur çështja epirote?
Një intervistë me Syrja Bej Vlorën
Vlorë, 19 Prill. Syrja Bej Vlora, i dërguari i Princit të Shqipërisë në Vjenë, mbërriti nga Durrësi. Unë shkova menjëherë tek ai për t’i kërkuar lajme për çështjen epirote.
— Çështja – më tha i intervistuari – është plotësisht e zgjidhur; Greqia ka njoftuar zyrtarisht qeverinë tonë se brenda pak ditësh do të tërhiqet dhe do të përfundojë pastrimin si të trupave helene, ashtu edhe të batalioneve të shenjta dhe të andartëve nga Epiri.
— Çfarë lëshimesh u bëri Shqipëria epirotëve për të vendosur që ata të hiqnin dorë nga autonomia?
— Të njëjtat që gëzojnë aktualisht të gjitha lokalitetet në Shqipërinë e lirë, pra e drejta e të krishterëve për të qenë pjesë e xhandarmërisë shqiptare dhe mësimi i lirë i gjuhës greke, e konsideruar si gjuhë e fesë, për të krishterët shqiptarë pas përfundimit të vitit të tretë të arsimit fillor në gjuhën shqipe në shkollat kombëtare.
— Çfarë mendoni, Shkëlqesi, për ndikimin dhe autoritetin e ushtruar nga Esad Pasha mbi popullsinë e Veriut dhe mbi punët e qeverisë ?
— Ndikimi i Esad Pashës i detyrohet më shumë pozitës që mban sesa personit.
— Por a mundet që ky ndikim të paralizojë pjesërisht veprën e sovranit?
— Aspak: Besoj fort se Esad Pasha ka aq përkushtim dhe bindje ndaj sovranit tonë, saqë po ta urdhëronte të braktiste Shqipërinë, do të largohej menjëherë.
— Më lejoni, megjithatë, të vërej se në çështjen me kolonelin holandez Tomson, ju keni vepruar disi në mënyrë despotike.
— E thënë ndryshe, Esadi donte t’i bënte kolonel Thompsonit të kuptonte se misioni holandez kishte për detyrë të organizonte xhandarmërinë shqiptare, por edhe ai duhej t’i nënshtrohej urdhrave të Qeverisë dhe Ministrisë së Luftës. Z. Thompson me sa duket mendonte ndryshe dhe për këtë arsye u përjashtua nga ndërhyrja në çështjet shqiptare.
— A do të qëndrojë disa ditë në Vlorë, Shkëlqesia Juaj?
— Ndoshta do të iki nesër, sepse kam vetëm katër ditë pushim dhe në këtë kohë dua të ndalohem në Napoli për t’u takuar me vëllain tim që vjen nga Egjipti; nga Durrësi do të nisem menjëherë për në Vjenë, vendqëndrimi im i ardhshëm.
— Po në Romë?
— Në Romë do të shkojë Dr. Adamidhi.
— Po në Kostandinopojë?
— Për momentin askush nuk është emëruar zyrtarisht, por të gjitha gjasat janë për Halil Pashën, ish-guvernatorin e Damasit.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania