SPAK ka caktuar masë sigurie “Arrest me burg” për Inceneratorin e Tiranës edhe për Lefter Kokën. Ky i fundit. ka mbajtur qëndrim mohues në seancë, duke hedhur akuza në drejtim të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Nuk kam shpërdoruar detyrën. Jam viktimë e Saliut dhe partiçkës së Ilirit. Akuzat janë ngritur mbi bazë perceptimi mediatik e politike. SPAK rri e rri dhe më cakton ndonjë masë. I kërkoj ndjesë stafit të gjithë atyre që ndodhen këtu për shkakun tim”, mësohet të jetë shprehur Koka.
Lefter Koka akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Kjo sepse sipas SPAK, Koka miratoi procedurën e koncesionit pa pasur dokumentet e hartuara nga Komisioni. Ky i fundit nuk verifikoi studimin e fizibilitetit i kryer nga “Integrated Energy BV”, pasi aty ishin vendosur të dhëna fiktive.
“Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarde të Koncesionit nga ana e Komisionit”, tha SPAK një ditë më parë.
Sa i përket Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, SPAK i akuzon se kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, të cilët janë edhe personat përfitues real të kësaj kontrate koncesionare.