Nga The Economist
Çfarë nuk shkon me fillimin e javës së punës?
Kur Boomtown Rats, një grup irlandez, publikoi “I Don’t Like Mondays” në 1979, kënga u bë një hit i menjëhershëm. Po në atë vit, një 16-vjeçar vrau dy persona dhe plagosi 8 fëmijë në Shkollën Fillore të Cleveland në San Diego.
Autori renditi “nuk më pëlqejnë të hënat” si arsyen kryesore pse kreu vrasjet. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja pse kënga bëri jehonë në mbarë botën. Ajo që njerëzit e njohin shumë mirë është vështirësia për të mbledhur energjinë për t’u ngritur nga shtrati të hënën në mëngjes, për t’u përballur me javën në vazhdim.
Shumë argumentojnë se fillimi i javës në zyrë krijon energji të mirë. Një punim i botuar në vitin 2021 nga Journal of Applied Psychology, zbuloi se njerëzit priren të jenë më të edukuar të hënën dhe bëhen më të sjellshëm me kalimin e ditëve.
Por një punim i vitit 2015 i botuar në Journal Medical of Australia shkon aq larg sa të diagnostikojë një gjendje të re, Mondayitis. Autorët e përkufizojnë atë si “një sëmundje me një grup simptomash jo specifike, duke përfshirë lodhjen, letargjinë ose nervozizmin, kokëfortësinë dhe dhimbjen e kokës”.
Këto simptoma zakonisht shfaqen në ditën e parë të punës pas një periudhe pushimi, e cila mund të jetë një fundjavë ose më gjatë. Kjo mund t’i shtyjë njerëzit të vendosin të punojnë nga shtëpia ose, nëse paraqiten në zyrë, të mos kenë fuqinë për të vazhduar punën normalisht.
Mondayitis duket se është ngjitëse, duke ‘infektuar’ ditë të tjera të javës. Disa persona ankohen tani për “frikën e së dielës”, kur tmerri para të hënës fillon ndërsa fundjava po i afrohet fundit. Të dyja kushtet mund të përkeqësohen nga një ‘hangover’ në fundjavë.
Kalimi nga pushimi në punë prek të gjithë. Pandemia e Covid-19 ka bërë që shumë njerëz të rivlerësojnë balancën e tyre punë-jetë. Një lëvizje më e gjerë po promovon idenë e një jave pune katërditore, një ndryshim i së cilës do ta bënte të hënën pjesë të fundjavës. Në mënyrë më pak ambicioze dhe më realiste, një fushatë e mediave sociale për “të hënat minimale” argumenton për një fillim të butë të javës.
E gjithë kjo pasqyron një instinkt të thellë njerëzor ndaj vetëkënaqjes dhe zvarritjes; ka një arsye pse “Shyqyr Zotit është e hënë” nuk përfshihet në shkrime nëpër bluza. Megjithatë, në ditën e parë të javës punonjësit nuk duhet të zhyten në apati, lodhje dhe dëshirë që gjërat të ishin ndryshe.
Rreth 60 orët e mëparshme ndoshta i keni kaluar me njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me punën tuaj. Ju mund të keni përgatitur, ose thjesht të keni shijuar, një vakt më të mirë sesa një sanduiç që konsumon në punë, ju mund të keni dalë për një shëtitje në park ose thjesht të jeni ulur në shtrat. Sido që të jetë, pothuajse me siguri keni qetësuar kokën.
Por dushi i parë, kafeja dhe puna pas fundjavës nuk kanë pse të ndjehen si një shëtitje me një çantë shpine plot me gurë. Përkundrazi, ato mund të jenë të mbushura me një ndjenjë për të vendosur dhe arritur qëllime të reja.