Aktualitet Ndal policia! Aksion si në filma, dalin pamjet e operacionit të RENEA-s...

Ndal policia! Aksion si në filma, dalin pamjet e operacionit të RENEA-s në Vlorë, 5 kuintal drogë po nisej për në Turqi

Policia ka nxjerrë pamjet e operacionit të madh anti-drogë në Vlorë ku u kapen rreth 500 kilogram kanabis, e cila po bëhej gati për t’u nisur me skaf për në Turqi. Gjatë operacionit janë arrestuar 5 persona si edhe janë ndaluar dy të tjerë. Po ashtu është shpallur në kërkim një person tjetër, të dhënat e të cilit policia nuk i bën publike për arsye hetimi.

Mësohet se operacioni është zhvilluar në fshatrat Babicë dhe Trevllazër, ku është kapur droga dhe janë arrestuar personat e mësipërm.

Policia bën me dije se gjithçka ka nisur pas informacioneve konfidenciale si edhe vëzhgimit disa mujor të grupit të trafikantëve.

Të arrestuar:

Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;

Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.

Në vijim të operacionit u ndaluan:

Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;

Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.

“Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare.

Këta shtetas kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në magazinën e dy vëllezërve Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj, dhe më pas, me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë”, bën me dije policia.