Aktualitet Zbardhet ngjarja në Berat: Zjarrvënësi i vilës në Berat, babai i pronarit...

Zbardhet ngjarja në Berat: Zjarrvënësi i vilës në Berat, babai i pronarit të banesës

Pak minuta pas mesnate një zjarr ka rënë në një vilë 3-katëshe në lagjen “30-Vjetori” të qytetit të Beratit. Gjatë momentit të zjarrit në vilën në pronësi të Dritan Qato, i cili prej shumë vitesh është emigrant në Itali, ndodhej babai i tij Shain Qato, 78 vjeç, i cili prej disa kohësh jetonte i vetëm në ambientet e vilës.

“Në orën 24:00 morëm njoftim nga një qytetar për një zjarr banese në një vilë 3-katëshe. Menjëherë në vendngjarje shkojë grupi shërbimit më një mjet zjarrfikës dhe me të ardhur në vendngjarje pamë që vila ishte shpërthyer në zjarr, kati i tretë i vilës kishte shpërthyer në zjarr. Pronari i vilës quhet Dritan Qato, i cili jeton në Itali dhe aty ndodhej babai i pronarit, Shain Qato, 78 vjeç, në katin e dytë, Shahini ishte në gjumë”, u shpreh Artan Merko Shefi i Repartit zjarrfikës Berat

Sipas shefit të reparti zjarrfikës, ekipi i zjarrfikësve kanë evidentuar se ambientet e vilës ishin të spërkatura me benzinë, ndërsa janë lajmëruar dhe strukturat policore për këqyrjen e vendngjarjes pasi dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme.

“Menjëherë u bë ndërhyrja, sepse vila ishte spërkatur nga të katër anët me benzinë, u bë e mundur ndërhyrja nga forcat tona, kërkuam dhe grupin e gatshëm  në ndihmë erdhën dhe dy mjete të tjera zjarrfikëse dhe u bë e mundur fikja komplet  e vatrës së zjarrit”, shtoi Merko.

Por, më pas ka ardhur edhe reagimi i policisë së Beratit, sipas të cilës, rezulton se autori i ngjarjes ishte vetë babai i pronarit të vilës, i cili e kishte ndërmarrë këtë veprim pas një konflikti për motive të dobëta me të birin.

“I vuri zjarrin gjatë natës, banesës së djalit të tij, për motive të dobëta, procedohet penalisht 78-vjeçari. Menjëherë pas njoftimit të marrë gjatë natës, se po digjej banesa në pronësi të shtetasit D. Q., në lagjen “30 Vjetori”, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Nga veprimet proceduralo-hetimore të kryera në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të këtij rasti, shtetasit Sh. Q., 78 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin gjatë natës, banesës së djalit të tij, shtetasit D. Q., për motive të dobëta.

Në përfundim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 78-vjeçarin, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë së Beratit.