Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka folur me tone keqardhjeje në Parlamentin e Italisë, teksa tha se nuk ndihet krenare që kritikat më të mëdha për marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë, erdhën nga vetë italianët.
“Është për të ardhur keq që shumë nga zërat mospërputhës erdhën nga Italia, ku Edi Rama u sulmua nga shumë anë se kishte ndihmuar Italinë”, nënvizoi Meloni në fjalën e saj.
Ajo shtoi po ashtu se është për të ardhur keq dhe për t’u habitur që ka pasur “frikësime deri për një përjashtim të kryeministrit shqiptar nga PSE, ku me sa duket për disa italianë të majtë është mëkat të ndihmosh Italinë.”
“Ka një dialog të vazhdueshëm me Komisionin e BE-së për marrëveshjen për të vërtetuar përkushtimin për respektim të plotë me të drejtën e BE-së, kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi ajo.
Marrëveshja ndërkaq, e miratuar nga Parlamenti italian me votat e shumicës, ka kaluar edhe filtrin e parë edhe në Shqipëri dhe pritet të hidhet në votim më 14 dhjetor.
Ndërkohë në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar dy padi, nga Rithemelimi dhe Partia Demokratike zyrtare. PD kërkon pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e protokollit.
Më herët, Parlamenti italian i ka dhënë dritën jeshile projekt-ligjit së mazhorancës për çështjen e emigrantëve. Votat pro ishin 189 ndërsa kundër 126.