Dy persona janë vënë në pranga nga policia në Tropojë pasi akuzohen për dhunë në familje. Policia bën të ditur se ka vënë në pranga shtetasin me iniciale L. M., 45 vjeç, banues në fshatin Cerrnicë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij 39 vjeçe.
Ndërkohë, në pranga është vënë edhe shtetasi E. M., 36 vjeç, vëllai i 39-vjeçares, pasi dyshohet se ka dhunuar shtetasin L. M..
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin L. M., 45 vjeç, banues në fshatin Cerrnicë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij 39 vjeçe.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 36 vjeç, vëllai i 39-vjeçares, banues në fshatin Cerrnicë, pasi ka kallëzuar shtetasi L. M., se 36-vjeçari e ka dhunuar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, për 39-vjeçaren u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Tropojës.