Shefja e Komisionit Europian deklaroi sot nga Brukseli se Unioni pret që të hapë sa më shpejt bisedimet për grup-kapitujt e parë me Shqipërinë. Megjithatë, Greqia ka kërcënuar që të përdorë veton, duke e penguar këtë proces nëse nuk trajtohet çështja Beleri.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel u pyetën rreth kundërshtimeve të Athinës si dhe për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Michel bëri të ditur se të enjten do të mbahen diskutime mes 27 shteteve anëtare për këto çështje.
Ai vuri në dukje, në të njëjtën kohë, se mund të shprehte mendimin e tij personal. Pra, që ai është pro progresit që duhet bërë në lidhje me zgjerimin dhe se shpreson se “vështirësive të pazgjidhura do të mund t’u gjendet një zgjidhje.
Ai shtoi megjithatë se mesazhi i sotëm është një mesazh optimizmi.
“Tani ekziston një dëshirë më e madhe e përbashkët e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate që procesi i zgjerimit të vazhdojë. Kjo nuk do të thotë që të gjitha problemet do të zgjidhen automatikisht, por ekziston dëshira për të zgjidhur vështirësitë.”
Megjithatë, siç raportojnë mediat në vendin fqinj, kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka përsëritur qëndrimin e Greqisë se çështja e marrjes së detyrës së Fredi Belerit dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, por një çështje respektimi i rregullit të ligjit, që është, siç vuri ai në dukje, “kurora” e procesit të anëtarësimit.
Ai gjithashtu shihet teksa shkëmben një bisedë me kryeministrin Edi Rama në Bruksel ku po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Protothema dhe Kathimerini duke cituar burimet qeveritare në Athinë raportojnë se Mitsotakis është shprehur se çështja e marrjes së detyrës nga Beleri dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë e Shqipërisë, por një çështje respekti për shtetin e së drejtës, që përbën në vetvete kurorën e procesit të anëtarësimit.
“Greqia pranoi dërgimin e raportit të BE-së në Tiranë për hapin e parë të fillimit të negociatave, por me kusht që në fazën tjetër të procesit të ketë një lëvizje të qartë që Fredi Beleri të marrë përsipër detyrat dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Greqia nuk do të pranojë fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit. Një parakusht themelor është respektimi i vlerave themelore evropiane dhe reformat në lidhje me shtetin e së drejtës dhe veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve”, thonë burimet nga Kryeministria në Athinë.
Mesazhi i Mitsotakis në Bruksel për palën shqiptare dhe liderët e BE-së vjen vetëm pak orë pas qëndrimit publik të kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili kërkoi të mos pengohet kursi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe nëse është e mundur të anashkalohet e drejta e vetos në dispozicion të shteteve anëtare.