Aktualitet Banesa përfshihet nga flakët, humb jetën 82-vjeçari në Lushnje

Banesa përfshihet nga flakët, humb jetën 82-vjeçari në Lushnje

Një 82-vjeçar ka ndërruar jetë pasi banesa e tij është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në fshatin Bubullimë të Lushnjes.

Sipas asaj që raporton korrespondentja e Klan News, Anila Sefa, 82-vjeçari Koli Koçi ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij 75-vjeçare në momentin që ka rënë zjarri, e cila ka arritur të dalë jashtë dhe t’i shpëtojë flakëve.

Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë soba me dru e lënë ndezur gjatë natës. Dyshohet se viktima është zënë poshtë nga trau i tavanit i cili ka rënë gjatë djegies.

Çifti i të moshuarve jetonte vetëm pasi nuk kishin fëmijë. Gjendja e tyre ekonomike ishte e rënduar dhe banesa ku jetonin ishte me baltë e kallama.

Komshinjtë e çiftit të moshuar tregojnë se zjarri ka rënë rreth orës 2:30. Njëri prej tyre tregon si luftuan me flakët për të nxjerrë gruan ndërsa plakun e kishte zënë trau i shtëpisë.

“Unë pashë flakë dhe morra në telefon zjarrëfikësen. Ishte ora 3, ajo mund të ketë ndodhur në 2:30. Ishte djegur dhoma e tij. Edhe të shoqen e tij e kishte zënë trau në kurriz, kam ngritur unë traun. Jetonin vetëm gjithë kohën. Zjarri dyshojmë se ka ardhur nga korrenti.”

Shefi i Zjarrfikësve Lushnje, Xhezmi Metushi shprehet se kur kanë mbërritur e gjithë ndërtesa ishte në flakë dhe çatia kishte rënë ku bënë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës. Sipas Metushit shkak mendohet të ketë qenë soba e druve me të cilin ngroheshin të moshuarit

“Njoftimin e kemi marrë rreth orës 3:40 të mëngjesit dhe erdhëm menjëherë. Nga këqyrjet që kemi bërë për momentin mendojmë se zjarri mund të ketë ardhur edhe nga soba të cilën e gjetëm ndezur dhe krevatet ishin shumë pranë. Ne luftuam me flakët. Çatia kishte rënë në tokë në momentin që kemi ardhur këtu sepse edhe njoftimi ka ardhur me vonesë nga banorët.”/Tv Klan