Ka marrë fund sot arratia disavjeçare e Lul Berishës, njërit prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Shqipëri.
Lulzim Berisha është arrestuar nga autoritetet spanjolle dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.
Ndërkohë, që ka dalë edhe fotoja Lul Berishës pas arrestimit të tij. Ai shihet i veshur me një bluzë me mëngë të shkurtra rozë dhe një jelek jeshil, teksa mban një kapele të kuqe në kokë dhe me mjekër të zbardhur.
Ndaj Lul Berishës rëndojnë një sërë akuzash.
Në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në dhjetor të 2016.
Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ka ngritur akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.
Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri, pas arrestimit.