Aktualitet Një i vdekur dhe një i plagosur, zbardhet dinamika: Si ndodhi përleshja...

Një i vdekur dhe një i plagosur, zbardhet dinamika: Si ndodhi përleshja në burgun e Peqinit

I dënuari Arben Lleshi mbeti i vrarë këtë të premte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Ai u qëllua me armë zjarri pistoletë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet nga i burgosuri tjetër Sokol Mjacaj. Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015.

Paraprakisht dyshohet se arma e zjarrit është futur me dron në ambientet e burgut, por ende nuk është konfirmuar nga autoritetet. Ndërsa i burgosuri i tretë i përfshirë në përleshje ka qenë Indrit Shaqja.

Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Ndërkohë, me anë të një reagimi të shkurtër, Ministria e Drejtësisë tha se ka pasur një përplasje mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Situata brenda burgut është aktualisht nën kontroll, ndërsa hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendngjarje kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, forcat RENEA.

Mjacaj është izoluar në një qeli pas ngjarjes dhe është duke u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes.

PËRSE NDODHI PËRLESHJA

Burime të pakonfirmuara thonë se ngjarja dyshohet të jetë vrasje me pagesë. Sokol Mjacaj besohet të jetë paguar për të kryer vrasjen e Arben Lleshit brenda burgut.

KUSH ËSHTË SOKOL MJACAJ

I dënuari përjetë Sokol Mjacaj

Sokol Mjacaj vrau dy turistë çekë në Korrik të vitit 2015 në Prekal të Shkodrës. Mjacaj u bëri pritë turistëve, Mikael Svatos 27 vjeç dhe Ana Kosinovës 36 vjeç, duke qëlluar me automatik makinën e tyre. Ai u arrestua pak ditë pas krimit në fshatin e Grudës. Ai e pranoi vrasjen e çiftit të turistëve.

Kush ishte Arben Lleshi që u vra sot në burgun e Peqinit

Arben Lleshi ishte i dënuar për vrasjen e një bashkatdhetari në Britaninë e Madhe. Lleshi nga fshati Laç-Bruçi i Matit vrau Agim Hoxhën në 10 prill 2012. Ngjarja ndodhi në një apartament në qytetin anglez të Sauthempton dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.

Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i Lleshit, 39-vjeçari Afrim Lleshi, i cili pranoi para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës.

Dy vëllezërit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për shkaqet se përse ekzekutuan Agim Hoxhën. Sipas mediave britanike, dy vëllezërit Leshi merreshin me drogë në Angli.

Në maj të vitit 2016, ai u ekstradua në Shqipëri, ku më pas u burgos në IEVP Peqin.