Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Prizren ku 3 të rinj të moshës 20 vjeçare kanë humbur jetën teksa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, kur të rinjtë ishin duke ndjekur gara ilegale, kur një prej mjeteve humbi kontrollin dhe përplasi personat në anë të rrugës.
Përplasja ishte fatale dhe për pasojë humbën jetën Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, të tre të moshës 20 vjeç, teksa u lënduan dhe 3 të tjerë.
Sipas mediave në Kosovë, shoferi i cili i ka përplasur tre të rinjtë është Arlind Syla, familjar i Lordit, i cili humbi jetën në këtë aksident.
Skena e tmerrshme është filmuar, përfshirë edhe momentin kur makina humb kontrollin dhe më pas efekti i frenimit dhe goditja e viktimave.
Mediat e Kosovës kanë publikuar pamjet e rënda si dhe fotografitë e 3 të rinjve. Policia ka njoftuar se ka arrestuar shoferin e makinës që është dërguar në paraburgim.