Një gjykatë e Vatikanit ka dënuar kardinalin italian Angelo Becciu, një ish-këshilltar i papa Françeskut, me pesë vjet e gjysmë burg për krime financiare, sipas BBC.
Becciu, 75 vjeç, është zyrtari më i lartë i Vatikanit që përballet me akuza të tilla, ndërkohë që dikur shihej edhe si një pretendent papal.
Gjyqi u përqendrua në një marrëveshje pronësie në Londër që përfundoi me humbje të mëdha për Kishën Katolike.
Ai mohoi me forcë akuzat, përfshirë përvetësim dhe shpërdorim detyre.
Avokati i kardinalit Becciu tha se klienti i tij ishte i pafajshëm se do ta apelonte çështjen.
Ai ishte në gjyq me nëntë të pandehur të tjerë.
Të gjithë u dënuan për disa akuza dhe u shpallën të pafajshëm për të tjerat.
Gjyqi, i cili ekspozoi grindjet e brendshme dhe intrigat në nivelet më të larta të Vatikanit, kishte vazhduar për dy vjet e gjysmë.
Pasi tre gjyqtarë kaluan më shumë se pesë orë duke shqyrtuar vendimin, presidenti i gjykatës, Giuseppe Pignatone njoftoi se kardinali Becciu ishte dënuar për përvetësim.
Të tjerët, të cilët përfshinin financierë, avokatë dhe ish-punonjës të Vatikanit, u akuzuan për krime të ndryshme, përfshirë mashtrimin, pastrimin e parave dhe shpërdorimin e detyrës.
“Ne rikonfirmojmë pafajësinë e kardinalit Angelo Becciu dhe do ta apelojmë”, deklaroi avokati Fabio Viglione, pas vendimit.
“Ne e respektojmë vendimin, por patjetër do të apelojmë”, theksoi ai.
Në vitin 2014, Vatikani shpenzoi më shumë se 200 milionë euro për të blerë 45% të aksioneve në ndërtesën londineze, e cila ishte planifikuar të shndërrohej në apartamente luksoze.
Deri në vitin 2018, Sekretariati i Shtetit i Vatikanit kishte vendosur ta blinte pronën plotësisht, duke futur 150 milionë euro të tjera në blerje. Dyshohet se këto i nënshkroi të gjitha kardinali Becciu, i cili në atë kohë ishte zëvendësuesi i Vatikanit për Çështjet e Përgjithshme.
Paratë, një pjesë e të cilave synohej të përdorej për vepra bamirësie, ishin paguar në një trust të drejtuar nga një financier italian me bazë në Londër, Raffaele Mincione, i cili orkestroi blerjen.
Kardinali u akuzua gjithashtu për dërgimin e shumave të mëdha parash në dioqezën e tij të Sardenjës, disa prej të cilave thuhet se i përfituan familjarët e tij.
Akuzat kundër Becciu e bënë atë kardinalin e parë të gjykuar ndonjëherë për krime financiare.
Rezultati i çështjes mund të ketë implikime të rëndësishme për trashëgiminë e papa Françeskut si reformator.