Kryesore Rama i shtrin dorën Mitsotakisit: Drejtësia është më kokëfortë se ne, le...

Rama i shtrin dorën Mitsotakisit: Drejtësia është më kokëfortë se ne, le të vendosim arsyet madhore mbi Belerin

Në takimin me skuadrën kombëtare të aktivizuar në punimet për fazën e anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama u ndal te “vetoja” greke, e komunikuar në Samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, që i dha një goditje procesit integrues të vendit.

Rama pati një mesazh në distancë për homologun e tij grek Kiriakos Mitsotakis sa i përket çështjes “Beleri” që ka ngrirë marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës, duke theksuar edhe njëherë se nuk do të ketë kompromis me çështjet që i takojnë drejtësisë.

“Besoj se nuk duhet të keni asnjë shqetësim, dhe besoj se nuk do të kemi asnjë humbje kohe pasi do të gjejmë gjuhën edhe për këtë, gjithmonë me mirëkuptimin që në asnjë çështje të drejtësisë dhe për asnjë çështje të drejtësisë ne nuk bëjmë asnjë lloj kompromis me askënd dhe për asnjë arsye. Ky mirëkuptim është shumë i qartë për ne, por nga ana tjetër besoj se është i qartë për të gjithë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Duke qenë se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës mbetet pas hekurave prej 12 majit dhe Greqia insiston se Fredi Beleri duhet të betohet në detyrë, Rama tha se shpreson që do të ketë një zgjidhje dypalëshe, duke marrë në konsideratë arsyet më madhore që qëndrojnë mbi këtë çështje.

“Ndërkohë që unë jam i bindur se me fqinjët tanë ne do të arrijmë së bashku që të vendosim arsyet madhore mbi këtë çështje, të cilët patjetër nuk ia heqim rëndësinë që ka për fqinjët tanë dhe për të cilën patjetër ne jemi disponibël për çdo gjë që nuk prek procesin e konsolidimit të sistemit tonë të ri të drejtësisë. Këtu s’ka asnjë kompromis të mundshëm, jo se nuk duam ne, por se drejtësia që ne duam është më kokëfortë se ne. Thënë të gjitha këto puna jonë do të vazhdojë, pavarësisht sa. Ju tashmë e keni mësuar rrugën për në Bruksel dhe e dini se çfarë duhet të bëni atje”, tha Rama.